giovedì, dicembre 22, 2011

Mnjíllja e Krishtlindjes (Kshndêllave)




     Dita e 24 Dhetúerit njihet n'liturgjín e Kishës Katolike si Mnjíllja (Vigjílja) e Krishtlindjes. Mnjílljet përgadisin besimtarin me festue me mâ devocjón festat e mëdhàja t'liturgjís s'krishtênë.
N'mnjílle, ligji i Kishës urdhnon me njinúe dhe mos me hangër mish apo làngje mishit. N'kjóftë se katoliku e shkel kyt ligj prej neglizhèncet apo përbuzjet atherë aj e rândon vêdin me mkat t'rândë. Katolikët që nuk munden me e mbajtë kyt ligj, për arsye shndetsore, prej punve t'rânda ose arsyve t'tjera serioze, duhen me i kërkue lêje (dispensë) meshtarit t'yne.

Ligjet e Kishës mbi njinímin e moshàngjen e mishit, e kryesisht kanonet 1250-1254, detyrojnë shdo besimtar: Njinesa, për shdo besimtar që ka mbushë 21 vjeç deri në 61 vjeç (kanoni 1254 § 2) dhe moshàngja e mishit, për shdo besimtar që ka mbushë 7 vjeç (kanoni 1254 § 1).

N'mnjílle, katoliku duhet me hangër vetëm 1 vakt kryesor n'ditë, dhe n'kyt vakt nuk hahet mish apo langje mishit, por lejohen voet (vezet) e qumështi. Nuk ka limit n'sasín e ushqimit që merret n'kyt vakt por ai nuk duhet me u zgjàtë mâ shumë se 2 orë dhe nuk duhet me u ndërpré për mâ shumë se 30 minuta. N'kjóftë se vakti ndërprehet për nji kohë mâ t'gjatë se 30 minuta, bâhet mkat veniel (i lehtë); n'kjóftë se ndërpritet mâ shumë se 1 orë, pa arsye shumë serioze (p.sh me ndêjë te kryet e atij që âsht tuej dekë), bâhet mkat mortar (i rândë).

Përveç ktij vakti kryesuer, Kisha Katolike lejon besimtarin që dishiron me marrë pak ushqim n'mjes e n'darkë. N'mjes, sasia e lejueme shkon deri në 60 gram, kurse n'darkë sasia e lejueme âsht rreth 250 gram. Nuk lejohet me hanger asgjà midis ktyne 3 vakteve, por lejohet pímja e langjeve joushqýese, si uji, vêna e birra.

Virgjina e Papërlyeme Marí, Nâna e tenZot, ju bekoftë dhe ju përgadítë me pritë me zemër t'pastër e dashní vllâznore ardhjen e Shëlbuesit t'njerzimit, Zotit tonë JEZU-KRISHTIT.


PER SHUMVJET KSHNDELLAT E BEKIME  E GZIME PAÇIN GJITHMONE FAMILJET E JUEJA !